Categories
LAJM

Rehabilitim i rrugëve rurale/ Llatja: Vazhdojmë me intensitet investimet si në fshat edhe në qytet  

Në takimet e shpeshta në qytet, por edhe në Njësitë Administrative, kryetari i Bashkisë z. Gledian Llatja i shoqëruar nga deputetja e zonës Desantila Tahiraj, pasi kanë parë nga afër investimet që po kryhen në këtë zone, kanë zhvilluar edhe një bashkëbisedim me banorët e zonës së Shpatit, në Shelcan. Ekipi i  Agjensisë së Shërbimeve Publike po ndërhyn në rehabilitimin e një prej rrugëve kryesore rurale  të atyre fshatrave që ishte degraduar për t’i paraprirë shirave të vjeshtës.

Duke renditur një sërë investimesh që janë bërë në këtë zonë, por edhe në qytet, kryebashkiaku pohoi se ka ende problematika për t’u zgjidhur, ndërsa shtoi se “me fillimin e shtatorit janë shtuar edhe ritmet e punës nëpër fshatra, qytet dhe lagje. Kemi shumë punë për të bërë, shumë problematika nëpër lagje të ndryshme e sidomos në lagjet e fshatrave të largëta që janë të distancuara nga njëra-tjetra, por ne nuk e kemi ndalur punën, tani po fillojmë më një ritëm tjetër dhe fatmirësisht kemi kohën në favorin tonë, kështu që arrijmë të ecim përpara. Kemi edhe një projekt të madh aktualisht që po zhvillojmë duke nisur nga qendra e më pas drejt fshatrave”.

Duke u ndalur tek projektet aktuale që ka Bashkia, z. Llatja shtoi se “në fokusin tonë këto kohë kanë qenë shkollat, ku 5 shkolla aktualisht po rikonstrukturohen, por vëmendja jonë më e madhe është infrastruktura. Kemi shumë fshatra me halle dhe problemi qëndron tek përhapja e shtëpive, por po mundohemi që t’ju vijmë në ndihmë cdo familjeje.

Kam ardhur shpesh në këtë zonë, Shushicë dhe Shelcan dhe kam vënë re tufat e bagëtive/ dhive dhe më bëhet qejfi që ështe rritur numri i bagëtive, dhe ne po rishikojmë pjesën sesi mund t’ju vijmë në ndihmë me problematikat që keni dhe me subvencionet, si dhe rekomandimet që mund ti kalojmë Ministrisë për skemat e veta, sic eshtë përpunimi i djathit dhe bulmetit ku vitin tjetër mund ti kërkojmë Ministrisë mbështjetje për fermerin për gjithë pjesën e përpunimit të djathit”-pwrfundoi Llatja.

Të pranishëm me banorët e zonës kanë qenë edhe dy shtetas holandezë të cilët prej kohësh jetojnë në Shelcan. Duke falenderuar mikpritjen e banorëve të zonës, shtetasit holandez kanë falenderuar kryebashkiakun Llatja për investimet në këtë zonë.

“I kemi parë nga afër ndërhyrjet që keni kryer gjatë kësaj periudhe që ne qëndrojmë në Shelcan. Na pëlqen gjithcka këtu, kemi 5 muaj që jetojmë në këtë zonë me natyrë të mrekullueshme, dhe po mendojmë që të zhvendosemi përfundimisht këtu”, u shprehën miqtë holandezë.