E diela ishte programuar ditë feste në Elbasan dhe ashtu ndodhi, teksa rikthimi pas 800 ditësh i një ekipi të qytetit të stadiumin “Elbasan Arena” u shpërblye me një fitore. Nën sytë e rreth tre mijë spektatorëve, verdheblutë e Elbasanit të drejtuar nga Gentian Stojku, arritën të fitonin pastër me rezultatin 2 me 0 ndaj Lu ftëtarit. Një përballje e dominuar tërësisht nga vendasit, ku vendosën golat e Sejdinit dhe Lleshit në pjesën e dytë, duke i dhënë tri pikë të rëndësishme elbasanasve.
Në tribunë nuk mungoi mbështetja e kryebashkiakut Gledian Llatja, ministres së Arsimit, Evis Kushi, si edhe figura të sportit në këtë qytet. Elbasanit hynë në fushë që në minutat e para për të fituar me çdo kusht ndeshjen, por fraksioni i parë i lojës, përpos përpjekjeve, u mbyll me rrjeta të paprekura. Sfida do të zhbllokohej në minutën e minutën e 65-të me anë të sulmuesit Artur Sejdini. Mone harkon në zonë, devijon Peqini për tek Sejdini, i cili me kokë godet portën dhe kalon në avantazh vendasit. Për të mbyllur shifrat mendon Arsen Lleshi, i cili pas një inkursioni të bukur nga krahu i majtë i Renato Hyshmerit, përfiton si duhet me portën e boshatisur.
Në fund të ndeshjes, djemtë morën përgëzimet e kryebashkiakut Llatja, i cili premtoi mbështetje maksimale për ekipin e futbollit. Kryebashkiaku Gledian Llatja i kënaqet nisjes së mbare të kampionatit dhe ka besim se Elbasani do të kthehet shumë shpejt aty ku e meriton. “E nisëm mbarë me një atmosferë të jashtëzakonshme në stadium, edhe qytetin e kishte marrë malli ta shihte stadiumin kështu për ekipin e Elbasanit. Për fat, u shpërblyem edhe me një rezultat pozitiv. Bashkia është përpjekur ta mbështesë maksimalisht ekipin e futbollit në bashkëpunim me bizneset në këtë qytet. Të gjithë po punojmë që ta kthejmë Elbasanin atje ku e meriton”.
Për trajnerin Gentian Stojku, fitorja merr vlera të shumëfishta në një stadium të mbushur nga tifozët, gjë që kishte vite që nuk ndodhte në Elbasan. “Kisha vite pa parë një atmosferë të tillë në qytet, ndaj dua t’i përgëzoj tifozët që mbushën stadiumin dhe na përkrahën gjatë gjithë lojës. Sa i përket ndeshjes, të mos harrojmë se edhe këto emocione ndikojnë tek lojtarët në fushë, ndaj edhe fitorja nuk ishte e lehtë. Unë jam shumë i kënaqur me lojën, sepse dominimi ka qenë gjatë gjithë 90 minutave, ndonëse u vonua pak goli. Ekipi tregoi ego dhe grintë dhe kjo ka ardhur në sajë të përgatitjeve që kemi bërë. Për ne çdo ndeshje vlen tri pikë dhe nga nesër do të vijojmë të mendojmë për përballjen e radhës”.
Ndeshjen e radhës Elbasani do ta luajë në transfertë ndaj Pogradecit, një kundërshtar direkt sa i përket lµftës për ngjitjen një kategori më lart.