Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, mbërriti sot në vendin tonë, në një vizitë zyrtare për të inauguruar hapjen e kompleksit sportiv “Shtëpia e Futbollit” ku janë dhe zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit. Numri një i FIFA-s vizitoi impiantin “Air Albania”, duke parë nga afër stadiumin që mirëpriti finalen e parë në histori të Conference League. Më pas, i shoqëruar nga presidenti Armand Duka, ai u prit në një takim nga kryeministri shqiptar Edi Rama.
Infantino ka rrëfyer edhe një batutë nga hera e fundit që vizitoi kryeqytetin shqiptar: “Jam kthyer me dëshirë këtu, jam kthyer edhe dy herë të tjera. Do të kthehem shumë shpejt. Meqë shoh dhuratat këtu, më kujtohet një histori e vogël. Herën e parë që isha këtu, më dhuruan një pako. Nuk e hapa. Pastaj shkova në aeroport, e kam vënë të bagazhet për ta kaluar. Erdhën dhe më pyetën e kujt është kjo? I thashë ‘është e imja’. Çfarë është? Nuk e di, është dhuratë. Më thanë ‘eja me ne’. Shkova në një dhomë, më thanë hape. Kishte brenda një shpatë. Nga ato shqiptare. Po ti më thanë, me këtë do të shkosh në avion? Sigurisht kaloi pastaj. Ndaj kujdes me dhuratat këtë radhë, do i kontrollojmë mirë”, qeshi presidenti i FIFA-s.
Infantino mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të kompleksit, por vizita në Tiranë kishte edhe një motiv të dytë. President i FIFA-s është në fushatë për kandidimin e tij për t’u rizgjedhur në detyrë në marsin e vitit 2023.