Akademia e Futbollit Elbasani nis këtë të dielë rrugëtimin e saj në Kategorinë e Dytë, me petkun e një skuadre pretendente që do të synojë ngjitjen një kategori më lart. Verdheblutë do të presin në shtëpi skuadrën e Luftëtarit, me synimin për ta nisur mbarë ediconin dhe marrë tri pikët. Marrin fund edhe dilemat sa i përket stadiumit ku do të luhet kjo ndeshje dhe është vendosur që të dielën në orën 14, elbasanasit të presin kundërshtarin në “Elbasan Arena”.
Në një situatë të tillë, ka nisur edhe organizimi nga ana e tifozerisë për të ndjekur skuadrën nga shkallët e stadiumit dhe dhënë mbështetjen e tyre për të vetmen skuadër të qytetit aktualisht, e cila u krijua vetëm një vit më parë dhe vjen në të këtë kategori me petkun e skuadrës kampione në të Tretën. Pritet një interesim i madh nga ana e sportëdashësve për këtë përballje, edhe për faktin se klubi ka vendosur çmime simbolike për ta parë takimin në stadium, me biletat që variojnë nga 100 deri në 300 lekë të reja në tribunë.
Verdheblutë kanë bërë shumë investime këtë merkato vere, ku kanë afruar lojtarë cilësorë, të cilët pritet t’i japin një ndihmë sa i përket realizimit të objektivave. I fundit që i është bashkuar skuadrës është ish mesfushori i Flamurtarit Alked Çelhaka, si edhe futbollistët Arsen Lleshi me Albi Gjolenën. Sakaq, mbështetja nga ana e bashkisë së qytetit dhe kryebashakikut Gledian Llatja nuk do t’i mungojë, duke u krijuar të gjitha kushtet për të bërë një kampionat dinjitoz.