Pak ditë më parë Enti Rregullator i Energjisë vendosi fashën për çmimin e energjisë elektrike që prej datës 1 tetor. Sipas këti vendimi çmimi do të rritej pasi të kalohej fasha 800kë. Sipas ekspertëve, ky vendim do të ndikonte drejtpërdrejt tek shtresat e mesme dhe tashmë shumë familje shqiptare do të paguanin gjatë muajve të dimrit mbi 20 mijë lekë të reja në muaj energji elektrike.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ditën e sotme ka dalë në një deklaratë dhe ka njoftuar që qeveria, pas një diskutimi deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, ka vendosur që kjo fashë të mos aplikohet as në muajin tetor.
Deklarata e plotë
“Pa dashur t’ju marrë kohë e t’ju lodh me shumë fjalë, jam këtu për t’ju thënë se sot kam një lajm pozitiv pas një diskutimi që kemi zhvilluar mbrëmë deri vonë.
Në 1 shtator kur ne vendosëm fashën me çmim të mbrojtur deri 800kë, kërkesa për energji nga KESH ishte rreth 17, 000 Këh, sot është rreth 11, 000 Këh.
Soko: Nëse kalon një ditë matja e sahatit, mbi 800 kilovat do të paguhet 12 mijë lekë në ditë
Në 1 shtator kur lançuam fashën mbi 800 Këh, kjo kërkesë ishte ndjeshëm më e lartë se sa ç‘është sot pra, dhe pa diskutim në këtë ulje të ndjeshme ka luajtur rol rënia e temperaturave të nxehta, por s’ka dyshim se rol të rëndësishëm ka edhe fillimi i dukshëm i një qasje pozitive të abonentëve familjarë për ta kursyer energjinë.
Nga ana tjetër ditët e fundit, kemi pasur përmirësim të nivelit në Fierzë, aty ku është dhe burimi kryesor i energjisë, dhe presim që të materializohen dhe parashikimet për reshje të tjera në fund të dhjetë ditëshit të parë të tetorit.
Prandaj në këto kushte, bazuar sigurisht në një analizë shumë më të detajuar të të gjithë parametrave teknikë dhe të projeksioneve, si dhe me angazhimin e plotë për të shfrytëzuar çdo mundësi dhe hapësirë që krijohet që ta lehtësojmë sadopak barrën faktike, por dhe atë psikologjike të kësaj situate, mbi të gjitha familjet, të cilën s’e ka krijuar qeveria, po qeveria e ka barrën ta menaxhojë sa më mirë të jetë e mundur, ne vendosëm që aplikimi i fashës 800 Kë të mos hyjë në fuqi në muajin tetor.
E ndërkohë që të gjithë duhet të jenë sa më të vëmendshëm që ta kursejnë sa më shumë energjinë, askush nuk duhet ta verë në dyshim se unë dhe kjo qeveri do të bëjmë më të mirën.
Inflacionin e ka sjellë lufta, nuk e ka sjellë qeveria, por qeveria do të jetë në krye të detyrës, që njësoj siç ia dolëm më së miri me tërmetin dhe me pandeminë, t’ia dalim edhe me këtë fatkeqësi të re që ka rënë mbi botën, e veçanërisht mbi Europën ku jetojmë.”