Categories
LAJM

Llatja: Kemi ngritur struktura të qëndrueshme vullnetare në qytet dhe në zonat malore     

Vullnetarizmi në Elbasan po ecën me hapa galopantë ku një mbështetje të madhe kanë dhënë të rinjtë, por edhe vetë qytetarët. I pranishëm në konferencën me temë  “Vullnetarizmi në pushtetin lokal”, për të ndarë një praktikë të mirë të angazhimit vullnetar të Bashkisë Elbasan, kryetari i Bashkisë z. Gledian Llatja ndau me panelin eksperiencën e mirë që ka ndërmarrë bashkia, duke e vënë theksin tek vullnetarizmi i qëndrueshëm dhe angazhimi institucional dhe jo vetëm.

Sipas tij ” kur flasim për vullnetarizmin do të vlerësoja diasporën tonë, e cila na ka mbështetur gjithmonë. Që herët, pa u krijuar shteti shqiptar, ne gjithcka e kemi ndërtuar vullnetarisht në qytet, duke filluar nga kulla e sahatit funksionale në qendër të qytetit edhe sot, institucione, biblioteka, monumente, dhe shumë gjëra të tjera, të cilat ne vazhdojmë ti kemi akoma dhe ti ruajmë si trashëgimi, janë kryer pikërisht nga kjo iniciativë vullnetare, iniciativa të cilat nuk konsistojnë vetëm në ndërtime shtëpish kryesisht në zonat malore të dëmtuara nga tërmeti. Sot ne po zhvillojmë praktikat më të mira të vullnetarizmit, po bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, me qytetarët, me diasporën tonë, me organizata, pikërisht për të arritur më të mirën atë që ne kemi dëshirë, të arrijmë qëllimin kryesor, i cili është ndërgjegjësimi vullnetarizmit të qëndrueshëm në të gjitha qytetet dhe komunitetet tona. Ne në Elbasan kemi bërë disa iniciativa të mira, më herët në nisje të mandatit tim si kryetar bashkie na lindi si nevojë për ti ardhur në ndihmë zonave malore pêr shkak të zjarreve masive që kishte dhe vështirësisë që kishim ne nga qyteti ti shkonim zonave malore, ndaj ngritëm struktura të qëndrueshme vullnetare jo vetëm për ti ardhur në ndihmë Emergjencave Civile, por tashmë për ti kthyer në një shembull të mirë të të gjitha problematikave që ne kemi në qytet”.

Llatja shtoi se “ashtu si ne e kemi diskutuar, vullnetarizmi duhet parë në të gjitha aspektet në vazhdimësi, dhe jam i bindur se kjo konferencë këtë ka sjellë, ne në gjithësinë tonë ta shohim vullnetarizmin si një gjë të mirë, të pranuar, dhe të na vijë të natyrshëm për të rinjtë dhe brezat e rinj me qëllim që ta kenë në gjenezë që tani vullnetarizmin, mundësisht që në shkolla një orë mësimi të jetë për vullnetarizmin. Ne kemi pasur një shembull të tillë, pavarësisht se me largimin e diktaturës pavarësisht se këto shembuj humbën me kalimin e viteve, por dikur ne i pastronim vetë klasat tona dhe shkollat dhe komunitetet. Tashmë ky vullnetarizëm po rikthehet, pasi shoqëria po e kupton që është i nevojshëm, ndaj duhet të punojmë të gjithë bashkë që ta bëjmë sa më të qëndrueshëm vullnetarizmin”, përfundoi kryebashkiaku Gledian Llatja.