Bashkia Elbasan, në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, në vijim të investimeve që po kryhen në Elbasan, ka nisur pak ditë më parë edhe sistemimin e pallateve me veshjet e reja kapot, me qëllim kursimin e energjisë elektrike. Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja bashkë me drejtuesin politik të qarkut Damian Gjiknuri kanë parë nga afër punimet e këtij investimi i cili përfshin shumë pallate në Elbasan. Nga ana e tij kryebashkiaku theksoi se “janë 13 pallate që po sistemohen dhe aktualisht jemi në fazën e parë të punimeve të grup pallateve të para të cilat po rikualifikohen totalisht, po vishen me kapot, ku janë gati 200 familje të cilat përvec një sistemimi më të mirë të ambjenteve kanë mundësi të kursejnë edhe energjinë”.
Pallatet që po rikualifikohen me sistem kapot janë pallate të vjetra të viteve 70. Sipas kryebashkiakut “ishte edhe vetë kërkesë e banorëve për të ndërhyrë për këtë sistem të tillë, dhe për vitin tjetër ne po planifikojmë një projekt për një sistem të tillë në të gjithë Elbasanin, ku bashkia me kontributin e qytetarëve të nisë një modelim më të mirë të kësaj praktike që po aplikojmë në këtë grup pallatesh”.
Punimet kanë nisur tek pallatet buzë unazës së qytetit në korridorin e 8, ku përvec sistemit kapot, punimet parashikojnë edhe sistemin e izolimit të zhurmave për shkak të trafikut në këtë zonë. Nga ana e tij, drejtuesi politik Damian Gjiknuri pohoi se “ky investim vjen në vazhdën e shumë projekteve që po kryhen në Bashkinë e Elbasanit, po ajo që vlen të theksohet është se projekti nuk është një rishikim fasade, por është një projekt eficense energjie, dhe kjo ka më shumë rëndësi për kohën që po jetojmë, pasi energjia në vijim do të jetë një mall i shtrenjtë dhe i kërkueshëm, dhe ky investim i duhet banorëve. Eshtë një projekt i rikualifikimit urban dhe nis pikërisht në këtë zonë ku kërkohej ndërhyrje jo vetëm nga ana estetike por mbi të gjitha nga ana funksionale dhe eficensa e energjisë është një aspekt që duhet ti mëshojmë shumë. Elbasani do të vazhdojë të jetë në qendër të vëmendjes jo vetëm sa i përket investimeve të Bashkisë por edhe instrumentave qeveritare për të bërë të mundur që ky qytet jo vetëm në qendër por edhe në periferi dhe të gjitha lagjet të transformohet si një qytet që i ka hije në qendër të Shqipërisë”.
Sipas Gjiknurit “ky projekt është një tjetër risi e Bashkisë dhe kryetarit i cili ka treguar interes si edhe e deputetit të zonës, është një ekip politik i votuar nga qytetarët dhe çdo investim bëhet në të mirë të komunitetit për mbështetjen që i kanë dhënë”. Investimet vazhdojnë ku është gjetur edhe mbështetja e banorëve pasi në shumë apartamente ka pasur edhe ndërhyrje jashtë standartit. Ky investim është një nga ndërhyrjet më të mira që po realizohen në blloqet e pallateve të Elbasanit, por sistemi kapot është një ndërhyrje me eficensë.