Categories
LAJM

Tenori Kastriot Tusha, vlerësohet me titullin “Nderi i Qarkut Elbasan”

Në sallën e teatrit “Skampa”, aty ku prej shumë dekadash janë promovuar artistë,  ku edhe kanë dalë artistë me zë nga Elbasani, tenori i madh nga ky qytet ka promovuar librin e tij të dytë titulluar “Kënga popullore qytetare elbasanase”. Ka zgjedhur qytetin e tij për ta prezantuar këtë libër, ku nuk mungonin miq, artëdashës si edhe pushtetarë lokal. Libri dedikuar traditës së folkut elbasanas është përshëndetur nga të pranishmit, ku kryetari i Bashkisë z. Gledian Llatja bashkë me kryetarin e Këshillit të Qarkut Bukurosh Stafa i kanë akorduar titullin ” Nderi i Qarkut Elbasan” me motivacionin ” Për merita të veçanta dhe kontribut të shquar dhënë në fushën e artit lirik, në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, si studiues e promovues i këngës qytetare elbasanase, të Shqipërisë së Mesme dhe trevave të tjera shqiptare, duke interpretuar me kualitet të lartë profesional, si intelektual, përfaqësues i denjë i qarkut të Elbasanit”.

Në këtë event të rëndësishëm për qytetin kryetari i Bashkisë z. Gledian Llatja u shpreh “mirënjohje për artistin Kastriot Tusha, i cili na ka bërë bashkë sot, në këtë promovim. Sa herë flas me kolegët e mi jashtë trevave shqiptare për Kastriotin, flasim për mjeshtrin e madh, për personalitetin e tij që e ka mbajtur fort muzikën shqiptare, por që i këndon shumë qytetit të tij. Për mua është vlerësim i madh kur përfaqësohemi me Kastriotin në të gjitha trevat shqipfolëse por edhe më gjerë. Kastrioti është gjithnjë i pranishëm në aktivitetet artistike dhe kulturore që në bëjmë në Elbasan”, tha z. Llatja. I falenderuar për publikun elbasanas, vetë tenori Kastriot Tusha u shpreh se idea për të shkruar një libër i ka lindur shumë vite më parë.

Kastriot Tusha ka një karrierë të lavdishme sa i takon muzikës klasike dhe për promovimin e vlerave tradicionale e  artistike në mbarë vendin.