Categories
LAJM

Bashkia Elbasan rikthen festën e Byshekut, perlës së turizmit natyror

Turizmi  në zonën e Elbasanit përbën një sektor të rëndësishëm jo vetëm për vlerën ekonomike, por edhe për atë kulturore dhe historike. Pika më e afërt turistike, vetëm 7 kilometra larg Elbasanit është Bysheku, një perlë e turizmit lehtësisht e arritshme dhe me histori shekullore.

Në pamje të pare, turistët të cilët e kanë vizituar e kanë cilësuar Byshekun si një Drilon të vogël, për nga vetë pamja mahnitëse që të prezantohet kjo pikë turistike.

Një park natyror i jashtëzakonshëm dhe shumë i njohur në Elbasan jo vetëm për burimet e ujit, por edhe shumë pemë shekullore, Bysheku pret miq e turistë në çdo stinë të vitit. Ndaj nën kujdesin e veçantë të kryetarit të Bashkisë Gledian Llatja, është rikthyer tashmë në traditë, që në prag të stinës së vjeshtës, apo në fund verë, Bysheku të mbledhë turistë e miq, në një festë të madhe, ku edhe të promovohen vlerat natyrore dhe turistike që ka kjo zonë.

“Kush nuk e njeh Byshekun, ashtu sikundër kush turist ka ardhur dhe nuk e ka vizituar këtë perlë të zonës së Shpatit. Nga viti në vit ne do të shtojmë aktivitetet dhe festat në Byshek, duke shtuar në kalendarin e Bashkisë edhe festën e Byshekut”, tha në fjalën e tij kryetari i Bashkisë”, i cili falenderoi të gjithë të pranishmit pjesa më e madhe të rinj, artizanë të zonës së Shpatit, të cilët promovuan punimet e tyre, por edhe turistë të pranishëm në festën e Byshekut.

Kjo festë ka bërë bashkë edhe deputetët Damian Gjiknuri, i cili është edhe drejtuesi politik i qarkut të Elbasanit, me deputeten e zonës Desantila Tahiraj. Kjo e fundit falenderoi kujdesin e vazhdueshëm që kryebashkiaku ka dhënë për zonën e Shpatit, ndërsa shtoi se “sot kjo zonë turistike me plot histori shumë shekullore vazhdon të ruajë traditat”.

Deputeti Damian Gjiknuri shtoi: “Kjo është dita juaj, por edhe e imja. Pasi unë jam nip i kësaj zone të mrekulkueshme, me plot histori e tradita. Nuk ka më mirë kur bashkia tregon kujdes për këto aspekte kulturore, sepse traditat dhe festat duhet ti ruajmë”.

Rrapet gjigandë mbrohen si monumente të natyrës, ku përshkohen nga rrjedha e ujit që buron prej një shkëmbi të lashtë në Byshek dhe më pas derdhen në Lumin Shkumbin.  Rrapet qindra vjeçare janë e veçanta e Byshekut. Jo vetëm një pikë turistike, por Bysheku është një vendbanim i vjetër në Elbasan dhe ka qenë i njohur me emrin Buzurshek.