Categories
LAJM

Kryebashkiaku Llatja inaguron qendrën e re shëndetësore në Lagjen “5 Maji”. U shërben 7000 banorëve

Dikur një ngrehinë në mes të lagjes, e ndërtuar në mënyrë të paligshme sot një investim shëndetësor me kushte bashkwkohore. Nuk ka kaluar as një muaj që kanë nisur punimet, dhe tashmë 7000 banorët e lagjes ” 5 Maji” do të kryejnë shërbimet e tyre shëndetësore pranë shtëpisë së tyre.  Kryetari i Bashkisë z. Gledian Llatja i shoqëruar me drejtoren e Shëndetit Publik  Ermira Urupi kanë inaguruar hapjen e ambulancës Nr 3 .

“Falë edhe mbështetjes së donatorëve të Kuvajtit që ju përgjigjën thirrjes së Bashkisë për ndërtimin e qendrave të reja shëndetësore dhe largimin e qendrave të vjetra që ne kemi pasur, tashmë ne kemi një tjetër qendër të re shëndetësore. Pandemia na tregoi se qendrat shëndetësore duhet të jenë funksionale dhe në qendër të lagjes, pranë komunitetit”,- tha kryetari i Bashkisë Gledian Llatja.

Qendra e re shëndetësore do t’u shërbejë 7000 banorëve të kësaj lagjeje ku do të ketë edhe konsultoren e 1600 fëmijëve të cilët e kanë tashmë shërbimin shumë afër banimit, duke krijuar lehtësi dhe shmangien e radhës në konsultoret e tjera. “Investime të tilla në Bashkinë e Elbasanit kanë qenë të shumta, ne kemi ndërhyrë në disa qendra të tjera shëndetësore të cilat kanë sjellë një rendiment të lartë jo vetëm për shëndetin publik por edhe për qytetarët e Elbasanit”, shtoi kryebashkiaku.

Drejtoresha e Shëndetit Publik Ermira Urupi  pohoi se “ne sot jemi në një pikë strategjike të nivelit të akreditimit, ashtu si e kërkon Ministria e Shëndetësisë për t’i dhënë shërbimin e duhur shëndetësor me kushte, përpos shërbimit shëndetësor kjo qendër e re do të ofrojë edhe procesin e chek – up si edhe vaksinimit edhe për moshën e tretë”.

Gjatë këtij muaji në lagjen “5 Maji” të qytetit të Elbasanit po kryen një sërë investimesh në infrastrukturë si edhe në shëndetësi, duke e kthyer këtë lagje në një kantier ndërtimi në urbanistikë.