Zëvendës kryeministrja, njëkohësisht Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku deklaroi se është zgjidhur problemi i financimit për rrugën Qukës-Qafë Plloçë.
Në emisionin “Now” në “Euronews Albania”, Balluku tha se rruga ka probleme të mëdha gjeologjike dhe se nuk mund të japë një datë të saktë për mbarimin e kësaj vepre.
Megjithatë, ajo tha se në 4 vitet e fundit, projektet të cilat janë nisur, tanimë kanë përfunduar.
“Rruga Qukës-Qafë Plloçë ka pasur problemin e financimit, i cili është zgjidhur vetëm muajin e kaluar dhe tashmë me aprovimin e financimit të ri, është arritur që të financohet dhe pjesa tjetër. Aty do të vazhdojë puna menjëherë mbas fillimit të pagesave dhe likuiditetit. Duhet thënë që është një rrugë me problematika të mëdha gjeologjike.
Unë një kohë të saktë sesi do të ketë ecurinë ky projekt nuk mund ta jap, por megjithatë, ne kemi synim që të futet sa më parë në operim, ne kemi treguar që në katër vitet e fundit të gjitha projektet që janë nisur, janë dorëzuar”, theksoi Balluku.