Zoti rrëfen në Kuran një histori që mbart shumë mësime, dhe në fakt Zoti rrëfen histori të ndryshme në Kuran pikërisht për këtë arsye, pra që të nxjerrim mësim prej tyre, përndryshe Kurani nuk është një libër historie, por i përdor ato për të dhënë një mesazh. Historia në fjalë rrëfen ngjarjen e popullit të Lutit, aty ka mjaft mësime të rëndësishme;
- ata që besojnë Zotin dhe nuk tërhiqen nga bindja e tyre do të dalin gjithmonë triumfues sepse Zoti ka premtuar që do t’i përkrahë besimtarët
- vendimi i Zotit për zullumqarët është i pandryshueshëm, kush bën keq dhe shkakton korrupsion në tokë do të ketë përfundim të keq.
- ligjësitë e Zotit nuk ndryshojnë
Historia e popullit të Lutit rrëfehet në sure të ndryshme në Kuran, dhe secila sure plotëson panoramën e kësaj ngjarje, dhe fakti që kjo ngjarje përmendet në shumë sure është gjithashtu një mesazh.
Allahu e dërgon Lutin profet në të njëjtën kohë me Ibrahimin në një popull të vendosur në brigjet e lumit të vdekur, në rrethinat e Jordanisë së sotme, që njihet me emrin Sodoma. Por ai popull ashtu siç rrëfen Zoti në Kuran shfaq një sjellje të turpshme të cilën nuk e kishte shfaqur asnjë popull në botë. “Kujtoni fjalët e Lutit, i cili i tha popullit të vet: “Përse bëni paturpësi të tilla që askush nuk i ka bërë në botë? Ju u qaseni meshkujve me epsh – në vend të femrave. Me të vërtetë, ju jeni popull që e teproni me të këqija!”
Si fillim njeriu kur korrupton sjelljen e tij ndjen një keqardhje e cila nuk zgjat shumë nqs ai nuk pendohet dhe vazhdon të sillet njëjtë, pra nuk heq dorë prej saj. Profeti a.s tregon se kur njeriu bën një vepër të keqe i shënohet një pikë e zezë në zemër, nqs pendohet zemra pastrohet, nqs nuk pendohet ajo pikë e zezë mbetet aty, dhe nqs vazhdon të kryejë vepra të këqija pika e zezë zmadhohet derisa zemra të mbulohet totalisht, dhe në këtë pikë profeti a.s tregon se njeriu nuk e njeh më të mirën dhe nuk e refuzon më të keqen.
Për këtë Zoti thotë në Kuran: “Nuk është ashtu! Por veprat e tyre (të këqija) ua kanë mbuluar zemrat.”
Edhe populli i Lutit arriti në këtë pikë, pasi refuzuan të heqin dorë nga vesi i keq, Zoti e rrëfen kështu në Kuran këtë gjë: “Betohem për jetën tënde (o Muhamed), se ata ishin vërtet të përhumbur në dehjen e tyre!”
Keqardhja për një vepër të gabuar nëse nuk ndodh pasohet nga pëlqimi i saj, sepse ajo tashmë ka bërë vend në zemrën e njeriut, dhe ai ka fituar një natyrë të dytë. Por e keqja si rregull synon të dominojë dhe të përhapet sepse ajo nuk mund të ndjehet e sigurtë dhe komode në vetëmbrojtje, duke qenë e dominuar nga e mira, sepse herët ose vonë do t’i vijë fundi, prandaj hidhet në sulm, sepse siç kanë thënë mbrojtja më e mirë është sulmi.
Sepse njeriu me sjellje të korruptuar, njeriu i pamoralshëm e di shumë mirë se i vetmi që e rrezikon atë është njeriu i pakorruptuar, njeriu i moralshëm, dhe për të shpëtuar nga kritika e tij ose do të përpiqet ta korruptojë edhe atë, dhe nëse nuk ia arrin dot do të kërkojë prej tij të heqë dorë prej saj dhe të shikojë punën e vet, pra do ta kërcënojë, këtë moment mund ta përfitojmë nga ngjarja e Lutit kur në këtë pikë populli i tij tha: “Ata thanë: “Nëse nuk tërhiqesh nga këto o Lut, me siguri do të jesh i dëbuar”
Dhe kur e keqja nuk gjen mirëkuptim prej të mirës pra nuk bën një marrëveshje me të, atëherë ajo merr vendimin kapital, për t’i dhënë fund të mirës e cila e bezdis. Allahu e tregon kështu në ngjarjen e Lutit vendin e popullit të tij: “Ata thanë: Dëbojini ata nga vendbanimi juaj! Ata janë njerëz që duan të mbahen të dëlirë.”
Pra arsyeja e marrjes së këtij vendimi nuk qe për shkak të korrupsionit të familjes së Lutit, pra ata nuk kishin bërë ndonjë kŗim, por sepse ata kundërshtonin sistemin e korruptuar moral mbi të cilin jetonte shoqëria e tij.
E keqja kur ngrihet në nivel sistemi synon të dominojë sferën publike dhe të parhapet kudo. Populli i Lutit njihet si populli i parë homoseksual në historinë e njerëzimit, dhe ne e dimë ose të paktën ashtu siç propagandohet në media, homoseksualët janë njerëz paqësorë, njerëz të dashur, të edukuar dhe të lumtur.
Ata shikojnë veç hallin e tyre dhe kërkojnë të drejtat e tyre. Por Zoti në Kuran na tregon një tjetër fytyrë të tyre, dhe prandaj na shërben kjo ngjarje e rrëfyer në Kuran. Zoti në këtë ngjarje demaskon fytyrën e tyre të vërtetë, sepse në këtë ngjarje duket qartë se ata nuk janë aq të dashur dhe paqësorë sa hiqen.
Në këtë ngjarje Zoti tregon qartë se e keqja kur dominon ushtron presionin e saj edhe mbi të tjerët. Kjo ngjarje na shërben edhe ne sot në shoqërinë tonë për të nxjerrë mësimet e duhura.
E keqja nuk ka ndryshuar natyrë, si në të shkuarën ashtu edhe sot, natyra e saj është të dominojë kur ndjehet e fortë. Ajo përpiqet me njëqind mënyra që të serviret si arritje dhe emancipim, përmes emisioneve televizive, spektakleve dhe programeve show me përmbajtje të pamoralshme, që shthurin shoqërinë. Mjafton të dëgjosh debatin e fundit në emisionin Breaking TopNews mes Olsa Muhametit dhe Prof. Fabian Zhillës për të kuptuar këtë gjë.
Kam frikë se sot nuk është e keqja e kërcënuar prej të mirës por anasjelltas. Ajo ka hyrë tashmë në shtëpinë e çdo familjeje shqiptare dhe gjëja e parë që synon të shkatërrojë është pikërisht kjo e fundit. Ne si shoqëri duhet të marrim masa, duhet të përmirësojmë vetveten dhe të edukojmë fëmijët tanë, që të mbajnë qëndrime të larta morale, në mënyrë që e keqja të mos gjejë shteg dhe të na dominojë. Duhet të përpiqemi para se të vijë momenti që të na thonë: “Dëbojeni familjen e Lutit prej qytetit tuaj, sepse ata janë njerëz të dëlirë!”