Tre rrugë janë drejt rehabilitimit në lagjen “5 Maji” të qytetit të Elbasanit. Me kërkesë të vetë komunitetit kanë nisur tashmë punimet në rrugët “Grigor Nosi”, “Hasan Ali Kopili” dhe “Xhaferr Duhanxhiu”, investim i cili po realizohet në një kohë rekord nga Bashkia.
Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja, i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i PS, njëherësh dhe drejtues politik i qarkut, Damian Gjiknuri, si edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, e cila është edhe deputete e kësaj zone kanë inspektuar punimet për sistemimin e këtij blloku të madh banimi në lagjen “5 Maji”.
Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja duke bërë edhe një prezantim të punimeve, u shpreh se “prej vitesh në Bashkinë e Elbasanit po ndërtohen rrugë me standarde. Të gjitha investimet që po kryejmë janë për komunitetin, pasi këta të fundit janë të parët të cilët na janë përgjigjur për të gjitha nevojat që ka Bashkia. Janë treguar të gatshëm që të bashkëpunojnë me ne në lidhje me prishjen e gardheve dhe magazinave, me qëllim zgjerimin e rrugëve në këtë lagje, duke treguar një interes të përbashkët në zhvillim të infrastrukturës. Ne kemi akoma shumë sfida në lagjen “5 Maji” për ndërhyrje në të gjitha rrugicat, për ujin e pijshëm në disa zona fundore si edhe për urbanizimin total. Unë i kam ndjekur vetë punimet që në nisje, është një rrugë me standarte që ne po e aplikojmë në Bashkinë e Elbasanit prej shumë vitesh. Kemi ndërhyrë dhe do të vazhdojmë të ndërhyjmë për kanalizmet e ujrave të zeza si edhe ujit të pijshëm por edhe sisteme të tjera nëntokësore”, tha z. Llatja.
Duke u ndalur tek investimet në infrastrukturë ai shtoi se “ne po bëhemi gati për urbanizimin dhe sistemimin e shumë rrugicave të brendshme të lagjeve të Elbasanit, ndërsa vlen të përmend se vetëm në këto tre vite ne kemi shtruar 300 kilometra asfalt kryesisht në zonat të cilat kanë qenë problematike në infrastrukturë, si edhe në rrjetin e kanalizimeve. Elbasani prej tre vjetësh ka qenë një kantier ndërtimi në ndërhyrje në shumë lagje të qytetit të Elbasanit. Fokusin tashmë do e kemi te infrastruktura e brendshme e lagjeve”, shtoi kryebashkiaku.
Drejtuesi Politik i Qarkut Damian Gjiknuri, si edhe Ministria Evis Kushi kanë vlerësuar punën që po kryen Bashkia e Elbasanit në rikonstruksionin e shumë lagjeve të qytetit. Duke kërkuar besimin e qytetarëve, ata kanë premtuar se edhe me mbështetjen e qeverisë investimet në urbanizimin e qytetit si edhe periferisë do të vijojnë, duke e cilësuar si këtë zonë më të bukurat e qytetit.
Lagjja “5 Maji”një ndër më të mëdhatë në Elbasan është urbanizuar me vonesë. Pas viteve 90 kjo lagje ka pasur një shtim të komunitetit të ardhur nga zona të ndryshme.
Në këto tre rrugë po kryhen punime me standarde, ku përfshihet asfaltimi, ndriçimi dhe trotuare, si edhe kanalizmet të cilat kanë përfunduar tashmë.