Bariu Ledjon Lici tregoi në një intervistë për “Goodmorning Albanians” në Euronews Albania se si e menaxhon kohën e tij mes bagëtive dhe Tik Tok-ut.
Ai u shpreh se punën e merr që në 3 të mëngjesit, qëndron deri rreth orës 8 në kullota dhe më pas i mbyll mbi 200 krerë bagëti që zotëron. Më pas kur freskon koha i nxjerr përsëri. Ndërkohë gjatë kohës që punon, hap dhe live në Tik Tok.
Ai tha se mund t’i bëjë të dyja në të njëjtën kohë.
Lici tha se kujdeset për bagëtitë edhe sepse i pëlqen të jetë vetë pronar, nuk ka dëshirë të punojë për të tjerë. Mesatarisht ai fiton 160 mijë lekë të vjetra nga një qingj kur e shet në fund të vitit. Nëse do të ishte bari me rrogë do të merrte maksimumi 30 mijë lekë në muaj. Po Tik Tok-u? Ledioni tha se ende nuk ka ndonjë fitim për të cilin mund të flasë.
Ai e ka trashëgimi nga familja dhe do vijojë të kullosë bagëti ndërsa e ndërthur punën dhe me live-t në Tik Tok, por nëse nuk do kishte bagëtitë e tij, nuk do i dilte llogaria për të punuar të tjetri.
Sipas Licit mungesa e mbështetjes nga shteti bën që ky profesion të ushtrohet gjithnjë e më rrallë.
E nëse nuk do të ishte bari? Ai u shpreh se i pëlqen aktrimi. Edhe në Tik Tok, krijon poezi ndërsa frymëzohet nga natyra dhe i interpreton ato.
Ndër të tjera i pëlqen të bëjë humor dhe të pasqyrojë realitetin te publiku.
Sipas bariut, një pjesë e moshatarëve të tij kanë turp të ekspozojnë punën që bëjnë.